Në vitin 2021 janë regjistruar gjithsej 693 raste dhurimi, përmes të cilave janë dhuruar rreth 2,220,000 euro. Duke përjashtuar vitin e pandemisë, aktiviteti filantropik në vitin 2021 është rikthyer në nivel të ngjashëm si në vitin 2019. Shuma e dhuruar për banor ishte 1.2 euro, që është më pak se mesatarja e rajonit.
Për çfarë qëllimesh dhuron Kosova?
Mbështetja e donatorëve më së shpeshti është drejtuar kah arsimi, e ndjekur nga dhurimi sezonal, ndërsa sipërmarrja sociale ka gjeneruar pjesën më të madhe të shumës së dhuruar. Dhurimi për arsim ishte më së shpeshti në formën e bursave ose pajisjeve nga individë bujarë. Përqindja e lartë për sipërmarrjen sociale erdhi si pasojë e një rasti të vetëm dhurimi – investimi i Fondacionit Golden Eagle dhe kompanisë Frutex, në vlerë prej një milion eurosh, për hapjen e një fabrike të letrës që synon të punësojë njerëz me nevoja të veçanta.
Kujt i dhuron Kosova?
Ashtu si një vit më parë, edhe në vitin 2021, pjesa më e madhe e mbështetjes iu dha drejtpërdrejt individëve dhe familjeve. Së bashku me institucionet publike, ata morën pjesën më të madhe të mbështetjes nga donatorë individualë të caktuar, ndërsa organizatat jofitimprurëse u mbështetën kryesisht nga dhurimi masiv i qytetarëve.
Nga ana tjetër, organizatat jofitimprurëse patën një rritje në shpeshtësinë e dhurimit. Duke parë të dhënat ndër vite, organizatat jofitimprurëse gjeneruan pjesëmarrjen më të madhe në numrin total të rasteve të dhurimit në vitin 2021. Më saktësisht, një e katërta e të gjitha rasteve të dhurimit dhe më shumë se tre të katërtat e shumës totale të dhuruar u dhuruan përmes punës së organizatave jofitimprurëse. Ashtu siç pritej, pjesa më e madhe e mbështetjes për sektorin jofitimprurës u dhurua për mbështetjen e grupeve të margjinalizuara si personat me aftësi të kufizuara, fëmijët pa përkujdesje prindërore, të moshuarit dhe prindërit vetushqyes.
Me qëllim që të kontribuojë në skenën e artit në Prishtinë, OJQ Shtatëmbëdhjetë hapi një galeri të re - Galeria 17, e cila synon të fokusohet në problemet sociale. Organizata inicioi një fushatë në platformën Kosovoideas për të mbledhur fondet e nevojshme për rinovimin e hapësirës së galerisë, e cila supozohet të shërbejë si hapësirë eksperimentale për artistët. Deri në shtator të vitit 2021 janë mbledhur gjithsej 15,000 euro, me ndihmën e donatorëve të ndryshëm.
Mësoni më shumë për ngjarjet humanitare dhe shembujt e praktikave të mira në raportin “Kosova dhuron 2021”.
Ky artikull është bërë i mundur nga mbështetja bujare e popullit amerikan nëpërmjet Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID). Përmbajtja është përgjegjësi e Catalyst Balkans dhe nuk pasqyron domosdoshmërish pikëpamjet e USAID-it ose të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara.
Programi për Angazhim Qytetar në Kosovë është një iniciativë pesë vjeçare zbatuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) në partneritet me Agjencinë e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID).
Leave a comment