Shumë qytetarë të Kosovës që jetojnë jashtë vendit ndiejnë lidhje të fortë me vendlindjen e tyre.
Kjo lidhje shpesh reflektohet në gatishmërinë e tyre për t'u kthyer tek komunitetet e tyre dhe për të mbështetur kauzat vendore. Një studim i Organizatës Ndërkombëtare për Migrim (IOM) ka gjetur se diaspora kosovare është ndër më aktivet dhe më të angazhuarat në aktivitete filantropike në mesin e të gjitha komuniteteve të diasporës së Ballkanit Perëndimor. Sipas informatave nga baza e të dhënave të Catalyst Balkans, nga viti 2020 e deri në vitin 2022, donatorët e diasporës kanë ndihmuar qytetarët e Kosovës me donacione në vlerë prej më shumë se 4.5 milionë euro.
Kosova ende është duke u përballur me shumë sfida të zhvillimit ekonomik dhe të mirëqenies sociale, dhe sektori i saj jofitimprurës mbështetet shumë në mbështetjen nga jashtë, e ku diaspora mund të luajë rol kritik. Shumë pjesëtarë të diasporës kosovare kanë qenë të suksesshëm në karrierën e tyre dhe kanë kapacitet më të madh financiar për të dhuruar, duke i bërë kontributet e tyre më të vlefshme.
Në vitin 2020, rreth një e treta e të gjitha rasteve të donacionit dhe më shumë se gjysma e shumës së dhuruar, është dhuruar nga diaspora. Pjesa më e madhe (83.9% e vlerës) nuk ndërlidhej direkt me pandeminë, por për kujdesin shëndetësor, zvogëlimin e varfërisë, arsimin, pajisjet dhe bursat shkollore. Atë vit, diaspora ka marrë pjesë në pothuajse 80% të vlerës së dhuruar për pushtetin lokal, më shumë se 80% për institucionet, si dhe me më shumë se gjysmën e vlerës së dhuruar për individët dhe familjet.
Në vitin 2021, donatorët nga diaspora kanë iniciuar 194 raste donacionesh, përmes të cilave janë dhuruar më shumë se 276,000 euro. Pjesa më e madhe e mbështetjes nga jashtë Kosovës ishte e orientuar në arsim. Duke marrë parasysh efektin e synuar të dhurimit, si më të shpeshta kanë qenë donacionet strategjike, siç janë bursat shkollore, pajisjet dhe shërbimet.
Në vitin 2022, donacionet me burim nga diaspora kanë arritur në 18.3% të të gjitha donacioneve. Fokusi parësor i dhënies nga diaspora në vitin 2022 ka qenë dhurimi i drejtpërdrejtë për individët dhe familjet (në 53.6% të rasteve), duke dhuruar për organizatat jofitimprurëse (41.1%) që kanë qenë si rruga e dytë e fortë e dhurimit.
Cilët janë disa prej shembujve të fundit ku diaspora ka dhuruar në Kosovë?
Praktika tregon se dhurimi nga diaspora në Kosovë kryesisht mbështet arsimin, kujdesin shëndetësor dhe iniciativat e zhvillimit ekonomik, dhe se shumë pjesëtarë të diasporës marrin pjesë në projektet e zhvillimit të komunitetit dhe në aktivitete vullnetare, si dhe japin kontribute financiare.
Në pjesën tjetër të artikullit, lexoni më shumë tregime suksesi dhe shembuj të praktikave të mira për dhurimet e diasporës në Kosovë.
Si i përkrahin komunitetet në Kosovë individët e spikatur nga diaspora?
Diaspora e Kosovës mbështet komunitetet në vendlindjen e saj përmes dhurimeve në masë dhe atyre individuale. Një shembull i dhurimit individual nga viti 2020 është ai i Arti Qelajt, një sipërmarrës që jeton dhe punon në Zvicër. Ai ka dhuruar 7,000 euro për Shoqatën “Down Syndrome Kosova” në mbështetje të shërbimeve të ofruara nga programet e tyre: Programit për Edukim dhe Intervenim të Hershëm dhe Programi për Trajnim dhe Aftësim Profesional. Shoqata “Down Syndrome Kosova” ofron shërbime terapeutike profesionale falas në Prishtinë, Prizren, Mitrovicë dhe Ferizaj. Duke qenë se zhvillimi dhe mirëmbajtja e terapive janë sfiduese për këtë organizatë, fondet e dhuruara kanë qenë mëse të nevojshme dhe ato kanë mbuluar një pjesë të shërbimeve terapeutike që u ofrohen rreth 200 anëtarëve të organizatës.
Një nga filantropët më të njohur nga diaspora është Mark Kosmo, themelues dhe president i Fondacionit Global Shqiptar (FGSH), i njohur për përpjekjet e tij për promovimin e filantropisë në diasporë dhe për zhvillimin e mënyrave inovative të grumbullimit të fondeve jashtë kufijve të Kosovës.
Në vitin 2021 ai mori çmimin FIDES për kontributin e diasporës. Ju mund të shikoni historinë e Markut në këtë link.
Filantropët nga diaspora kanë mbështetur përballjen e Kosovës me COVID-19
Në vitin 2020, Ahmet Hoti nga Gjakova, i cili jeton dhe punon në Kanada, i dhuroi Spitalit të Gjakovës katër respiratorë si ndihmë gjatë pandemisë. Hoti ka dhuruar edhe një respirator për Klinikën Infektive.
Në të njëjtin vit, Mehmet Sopa nga Gjilani, i cili aktualisht jeton në Zvicër, ka dhuruar 73 shtretër mjekësorë, në vlerë prej rreth 927.000 euro, për institucionet shëndetësore në Kosovë. Po ashtu, Halili Haxhija, i cili jeton në Gjermani, ka dhuruar pajisje profesionale për Njësinë Profesionale të Zjarrfikësve dhe Shpëtimit në Drenas.
Një shembull i dallueshëm ishte edhe fushata “Maska për Kosovën”, të cilën e lansoi një grup vullnetarësh nga diaspora si reagim ndaj pandemisë COVID-19. Fushata kishte për qëllim grumbullimin e fondeve për blerjen e maskave dhe furnizimeve të tjera esenciale mjekësore për spitalet dhe popullatën e cenueshme në Kosovë. Falë bujarisë së donatorëve në mbarë botën, fushata arriti të grumbullojë mbi 100,000 euro për vetëm disa javë.
Fushata “Heronjtë e Kujdesit Shëndetësor të Kosovës” është lansuar në vitin 2021 nga një grup vullnetarësh nga diaspora, për të mbështetur punonjësit e kujdesit shëndetësor në Kosovë gjatë pandemisë COVID-19. Fushata arriti të grumbullojë fonde për blerjen e pajisjeve mbrojtëse personale dhe furnizime të tjera esenciale mjekësore për spitalet dhe klinikat në Kosovë, si dhe mori mbështetje të konsiderueshme nga donatorët në mbarë botën.
Mbështetje për iniciativat arsimore në Kosovë
Arsimi është prioritet kyç për shumë pjesëtarë të diasporës kosovare, dhe një pjesë e konsiderueshme e aktivitetit filantropik është fokusuar në mbështetje të iniciativave arsimore në Kosovë. Kjo përfshin iniciativa për përmirësimin e qasjes në arsim për komunitetet e margjinalizuara dhe të pafavorizuara, si dhe përpjekjet për të përmirësuar cilësinë e arsimit dhe për të promovuar inovacionin në mësimdhënie dhe mësimnxënie. Sipas të dhënave të Catalyst Balkans, nga janari 2020 e deri më 31 dhjetor 2022, donatorët nga diaspora kanë dhuruar bursa shkollore në vlerë prej 1 milion euro për studentët në Kosovë.
Për shembull, në vitin 2020, Fondacioni Biberaj Inc. me seli në SHBA, ka ndarë bursa akademike për 40 studentë që studiojnë në Institutin Teknologjik të Roçesterit në Kosovë. Bursat kanë qenë pjesë e çmimit të bursave shkollore të familjes Biberaj, e cila zgjatë katër vite dhe jepet me konkurs për studentët me arritje të larta akademike që kanë nevojë për ndihmë financiare. Bursa e familjes Biberaj thekson fuqizimin e grave në akademi; prandaj, fondacioni ndau deri në 75 për qind të bursave të saj për studentet femra. Përparësi për bursë u jepej studentëve që studiojnë në shkenca, inxhinieri, teknologji, matematikë dhe/ose gazetari.
Në të njëjtin vit, Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF) lansoi një fushatë të quajtur “Donate a Book (Dhuro një Libër)” për të mbështetur shkrim-leximin dhe arsimimin në Kosovë. Fushata ka inkurajuar pjesëtarët e diasporës që të dhurojnë libra në shkollat dhe bibliotekat në Kosovë, duke u fokusuar në promovimin e leximit tek fëmijët e vegjël.
Në vitin 2021, për të pestin vit radhazi, përmes programit të tij të bursave me RIT Kosova (Universiteti Amerikan në Kosovë), Meridian Express ndau bursa në vlerë prej 5,000 euro për studentët e familjeve të pafavorizuara sociale.
Në vitin 2022, shoqata e diasporës LAPSH ''Naim Frashëri'' në Zvicër i dhuroi shkollës "Vëllezërit Frashëri" në Lipjan 100 kompjuterë dhe aksesorë të nevojshëm. Donacioni ishte në vlerë prej 30.000 euro.
Kontributi i diasporës për njerëzit në nevojë
Një tjetër kauzë e rëndësishme që mbështet diaspora është ndihma për individët dhe familjet në nevojë.
Në vitin 2021, përmes bashkëpunimit të Shoqatës Humanitare “Peja” nga Nju Jorku me shoqatat “Bereqeti” dhe “HANDIKOS”, janë shpërndarë pako humanitare për rreth 370 familje në nevojë, në vlerë prej 15.000 euro.
Një nismë tjetër e rëndësishme nga viti 2021 është projekti “Kosovo for Charity (Kosova për Bamirësi)”, i cili u lansua nga një grup vullnetarësh të rinj nga diaspora e Shteteve të Bashkuara. Projekti kishte si synim grumbullimin e fondeve për organizata të ndryshme bamirëse në Kosovë, duke u fokusuar në mbështetjen e fëmijëve dhe familjeve në nevojë. Projekti mori mbështetje nga donatorë të ndryshëm, duke përfshirë individë dhe biznese, dhe ajo arriti të grumbullojë dhjetëra mijëra dollarë vetëm në muajt e parë.
Konkluzion
Roli i diasporës kosovare në filantropi është thelbësor. Kontributet e tyre mbështesin shumë kauza dhe nisma të ndryshme. Ndikimi i tyre është i rëndësishëm, ndërsa angazhimi i tyre për të mirën sociale mbetet i fuqishëm dhe frymëzues.
Shembujt e përmendur më sipër janë vetëm disa prej tyre se si diaspora kosovare po bën një ndikim pozitiv përmes filantropisë dhe nismave për zhvillimin e komunitetit në Kosovë. Për më shumë shembuj dhe njohuri më të thella, vizitoni faqen: kosovadhuron.org.
Ky artikull është bërë i mundur nga mbështetja bujare e popullit amerikan nëpërmjet Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID). Përmbajtja është përgjegjësi e Catalyst Balkans dhe nuk pasqyron domosdoshmërish pikëpamjet e USAID-it ose të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara.
Programi për Angazhim Qytetar në Kosovë është një iniciativë pesë vjeçare zbatuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) në partneritet me Agjencinë e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID).